Kushtet e blerjes së biletave dhe rregullorja e vendngjarjes

1. Blerja e biletës i jep të drejtën poseduesit të marrë pjesë në eventin e përshkruar në biletë, nga momenti që pranon dhe respekton kushtet dhe rregulloren e vendngjarjes. Hyrja e pjesëmarrësit në mjediset e eventit, nënkupton pranimin e pakushtëzuar të termave të cituara. Bileta duhet të përmbajë të dhënat personale të poseduesit, emër, mbiemër, adresë emaili e vlefshme dhe numër telefoni. Këto të dhëna janë të detyrueshme dhe duhet të jenë të sakta dhe do përdoren për të verifikuar poseduesin gjatë hyrjes për në ambjent, ose në rast anullimi të eventit, për të kompesuar vlerën e biletës. Poseduesi i biletës pranon me blerjen e kësaj bilete se autorizon kompaninë organizatore të përdorë të dhënat e tij personale për të komunikuar për sa më sipër.

2. Bileta është e vlefshme për një hyrje/përdorim të vetme/ëm dhe konsiderohet e vlefshme për nga funksionaliteti, vetëm nëse shitet nga pikat zyrtare të shitjes. Shkëmbimi, rishitja dhe çfarëdo forme tjetër tregtimi, e ndryshme nga e sipërcituara, është i ndaluar. Biletat e blera me qëllim për të qenë objekt aktiviteti biznesi, tregtimi, reklamimi apo çfarëdolloj aktiviteti tjetër, pa miratimin e kompanisë organizatore, mund të anulohen. Të gjithë pjesëmarrësit duhet të mbajnë kuponin e biletës së tyre deri në fund të mbrëmjes.

3. Organizatorët mund të refuzojë hyrjen e personave që janë nën efektin e alkoolit apo të substancave narkotike, që mbajnë me vete shishe ose objekte të tjera të rrezikshme ose lehtësisht të ndezshme edhe në rastin e posedimit të biletave. Gjithashtu i ndaluar është edhe transportimi dhe përdorimi i mjeteve të regjistrimit audioviziv në mjediset e eventit (për filmimin, fotografimin, regjistrimin e eventit apo sekuencave të tij). Poseduesi i biletës pranon të jetë në dispozicion të kontrollit të sendeve personale (çanta, dosje dhe objekteve të rëndë), në kuadër të rregullorës së mësipërme, si në hyrjen e vendngjarjes dhe gjatë qëndrimit të tij e deri në fund të aktivitetit. Organizatorët rezervojnë të drejtën për filmimin dhe fotografimin gjatë eventit. Pjesëmarrësit, me blerjen e biletave, automatikisht pranojnë dhe japin pëlqimin për filmimin apo fotografimin e tyre dhe të personave minorenë, të cilët shoqërojnë gjatë eventit.

4. Organizatorët nuk mbajnë përgjegjësi për grindje të mundshme mes pjesëmarrësve, për dëmtimet apo humbjen e sendeve personale të pjesëmarrësve në këtë event. Gjithashtu kompania organizatore nuk zëvendëson biletat e vjedhura apo të humbura.

5. Publiku duhet të respektojë e të ndjekë udhëzimet e personelit të sigurisë, si dhe të përfaqësuesve të kompanisë organizatore, mbi çështjet e sigurisë. Është rreptësisht i ndaluar hedhja drejt turmës për tu kaluar dorë më dorë (crowd surfing) për çështje sigurie.

6. Në rast të shtyrjes së eventit për shkak të forcave madhore që e bëjnë realizimin e eventit të pamundur për arsye organizative, kompania organizatore rezervon të drejtën për të ndryshuar datën, orën dhe vendin e mbajtjes së eventit, duke njoftuar publikun përmes mediave të komunikimit masiv. Në këtë rast biletat janë të vlefshme ashtu siç janë e nuk anulohen. Gjithashtu kompania organizatore, rezervon të drejtën për të ndryshuar programin e eventit.

7. Në rast anulimi definitiv të eventit, biletat do të mund të kthehen brenda një kohe të caktuar, në pikat e shpallura sipas komunikatave përkatëse në mediat e komunikimit masiv. Poseduesit e biletave pranojnë se organizatorët nuk janë të detyruar për t'i kompensuar përtej vlerës së biletës, për çfarëdo shpenzimi tjetër që mund të derivojë nga anulimi i eventit.

8. Në rast ndërprerjeje apo anulimi të eventit për shkak të forcave madhore, të paktën tridhjetë e pesë (35) minuta pas fillimit të eventit, ky i fundit konsiderohet i ezauruar dhe nuk përsëritet. Në këtë rast, biletat nuk kompesohen.

9. Në rast anulimi të një grupi muzikor apo artisti, kompania organizatore nuk ndikohet në realizimin e eventit.

10. Posedimi i kësaj bilete nuk i jep të drejtë poseduesit të saj, të përfitojë shërbime shtesë, përtej çka i është bërë e ditur. Konsumi nga bar-restoranti është fakultativ.

11. Sekuenca të eventit mund të filmohen/regjistrohen. Pjesëmarrësit nga audienca e eventit, që mund të shfaqen në këto sekuenca filmike, nuk do të kenë pretendime nga kompania video-prodhuese apo organizatorët e eventit.

12. Ndalohet hyrja për fëmijët nën moshën dhjetë (10) vjeç.